Përsëri ‘luftë’; De Laurentiis tentoi të shtyjë Superkupën e Italisë me Juventusin

Pasi fitoi betejën e tij për ta riluajtur ndeshjen e kampionatit kundër Juventusit falë edhe mbështetjes së CONI, Napoli tentoi të bëjë të njëjtën gjë edhe për Superkupën e Italisë. Aurelio De Laurentiis, i karikuar edhe nga suksesi në Kolegjin e Garancisë së Sporteve, propozoi moszhvillimin e sfidës e programuar për t’u zhvilluar në 20 janar, gjithnjë kundër bardhezinjve.

Motivi? Në aspektin ekonomik të ardhurat do të ishin shumë më të ulëta në krahasim me të kaluarën, pa harruar këtu edhe faktin se sfida është caktuar të luhet në Reggio Emilia një rajon me rrezik të lartë për Covid-19.

Në mënyrë të detajuar, klubi do të përfitonte vetëm 2.6 milionë Euro kundrejt 5.8 milionëve që fitoi në edicionin 2019 në Arabinë Saudite. Shkaku është mungesa e publikut në stadium dhe ajo e detyrimit të derdhur nga qytet/vendi pritës i kësaj finaleje. Këtyre u shtohet edhe një shpërblim i mundshëm për skuadrën e Napolit në rast triumfi. Për këto arsye, De Laurentiis do të donte që Superkupa të luhej në fund të sezoni kur situata sanitare ndoshta do të jetë më e mirë dhe kur mund të luhet me më shumë siguri e mbase edhe me publik.

Hipoteza që duket se lindi dhjetë ditë më parë, nuk u pranua nga Lega Serie A, kështu që Juventus-Napoli nëse nuk do të ketë zhvillime të jashtëzakonshme të orës së fundit, do të luhet rregullisht.

Sfidanti.al