Interi ndalet nga Roma, por trajneri Konte shprehet krenar!

Një ndeshje për kopertinë, por që më shumë punë i bëri Milanit. Përfundoi 2-2 sfida në stadiumin “Olimpiko” mes Romës e Interit, duke bërë që kryesuesit e Serisë A të rrisin epërsinë ndaj ndjekësve në tri pikë. Interi ishte ekipi i vendit të dytë dhe mbeti i tillë, ndërsa Roma e treta ndërsa rrezikon nga afrimi i Atalantës.

“Ne zhvilluam një ndeshje të mirë, – tha trajneri Konte, – të vish këtu dhe të luash në këtë nivel ndaj një skuadre si Roma që ka të njëjtat objektiva si ne, do të thotë shumë. Jam i kënaqur nga skuadra. Roma është forca e tretë e kampionatit. Natyrisht, ne donim fitoren, por nuk ishte e lehtë. Nuk është një dështim. Duhet të vazhdojmë të punojmë”.

Përballja ishte vërtet spektakolare me vendasit që kaluan të parët në epërsi me anë të Pelegrinit që në minutën e 17-të, por nuk mundën të mbyllnin ndeshjen, as që ta fitonin atë. Zikaltërit, të nxitur nga karakteri i trajnerit të tyre, Antonio Konte, reaguan pas pushimit duke realizuar përmbysjen. Golat këtë herë erdhën nga mbrojtja, pasi u shënuan nga Milan Shkriniar dhe Ashraf Hakimi. Romelu Lukaku dhe Lautaro Martinez ishin që të dy në fushë, por sulmuesit interistë u mbuluan fort nga romanët.

Gjithsesi, Roma gjeti krenarinë dhe forcën e karakterit për të shmangur të paktën humbjen. Katër minuta para fundit, barazimi erdhi falë rrjetës së Xhanluka Mançinit dhe me këtë rezultat u mbyll e gjithë ndeshja. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, vazhdon të mos jetë titullar tek Roma që pasi u sëmur me koronavirus dhe këtë sfidë e ndoqi nga stoli. Pas 17 javëve të deritanishme, Milani ka 40 pikë në krye të Serisë A, Interi ka 37, ndërsa Roma 34.

Sfidanti.al