Milani mban komandën, Pioli “shpërfill” Juven dhe pret … prillin!

Pa Ibrahimoviçin dhe me 10 lojtarë që nga minuta e 33-të, por sërish nuk u tund nga “istikami”. Ky Milani duhet marrë vërtet seriozisht, pavarësisht nga mosha e re e shumicës së skuadrës, pasi ka kaluar gati gjysma e Serisë A (15 ndeshje) dhe mbetet në krye pa asnjë humbje. Skuadra e trajnerit Stefano Pioli fitoi 2-0 në fushën e një Beneventoje të mirë dhe mbeti e para me 37 pikë ndaj 36 të Interit, edhe pse u vu nën presion të madh nga fitorja e zikaltërve pak orë më parë. Leao realizoi një gol mjeshtëror, ndërsa përpara tij Frank Kesi shënoi rrjetën e parë me penallti. Tonali doli me të kuqe, për ekipi i tij u mbajt. “Fitoret e rivalëve nuk na krijojnë presion, – tha Pioli, – sërish luajtëm me zemër, me shpirt, me cilësi dhe ritëm të lartë. Ndeshja me Juven nuk do të jetë vendimtare. Renditjen do ta shohim në prill, dhe nëse do të jetë sërish kështu, atëherë do të flasim ndryshe. Ende mendoj se Juventusi, Interi dhe Napoli janë ekipet më të fortë të këtij kampionati”.

Rafael Leao është prodhim i shkollës së shkëlqyer portugeze të futbollit, dhe po nis të lulëzojë në moshën 21-vjeçare. Me shtatlartësinë e admirueshme 1.88 metra dhe me mjaft talent, ai është një sulmues modern, ndërsa ka luajtur në të njëjtin klub ku ka qenë Kristiano Ronaldo, Sporting i Lisbonës. Tek Milani ka ardhur pa mbushur 20 vjeç, ndërsa këtë sezon ka shënuar thuajse të njëjtin numër golash si edicionin e kaluar (5 nga 6), por pasi ka luajtur vetëm 16 ndeshje ndaj 33 të vjetshme.

Tek Milani janë edhe të rinj të tjerë si Brahim Diaz, 21 vjeç, i huazuar nga Reali, Zelemekers (21 vjeç), Frank Kesi (24), Daniel Maldini (19), Lorenco Kolombo (18), Teo Hernandez (24), Hauge (21), Tonali (20), Kalulu (20), Kalabria (24), Benaser (23), Kastijeho (25), Dalot (21), Gabia (21), por edhe 21-vjeçari Xhixho Donaruma. Imagjinoni që lojtarë si Romanjoli (25 vjeç), Rebiç (27) apo Çalhanoglu (26) duken si veteranë, ndërsa të vjetrit e vetëm janë Zllatan Ibrahimoviç, Kjer apo portieri Tatarushanu.

Sfidanti.al