Nuk e ruajti dot kryesimin përveçse për pak orë, por arriti suksesin e 8-të radhazi në Serinë A, dhe vazhdon të cilësohet si skuadra favorite për titullin. Edhe pse në vendin e dytë, Interi duket si një “tank” gati për të shfrytëzuar gabimin e parë të Milanit, ndonëse stili i Kontes (e kemi thënë) është krejt i ndryshëm nga ai i Stefano Piolit. Më shumë si Murinjo sesa si Zidan apo Ançeloti, tekniku zikaltër nuk kënaqet kurrë, kritikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe pse di të lavdërojë.
“Vidali duhet të pedalojë më shumë, – ishin fjalët e tij pas fitores 6-2 ndaj Krotones, dhe pasi kileni u zëvendësua në pushim, – këtu nuk e ka askush vendin të sigurt”. Vidal u përgjigj në rrjetet sociale duke theksuar se “qetësia është cilësia e të fortëve”. Një polemikë që mund të krijojë probleme, siç është gjendja e Eriksenit? Të shohim, por për momentin tek Interi ka festë. Lautato Martinez ka lënë pas krahëve historinë e Barcelonës dhe e tregoi me 3 golat e shënuar në “San Siro”. Për fat të keq pati dëmtim për Lukakun, që gjithashtu shënoi gol, por Konte qetëson tifozët. “Lukaku nuk ka asgjë të rëndë”, – thotë ai, ndërsa “La Gazeta delo Sport” shkruan se sulmuesi belg mund të humbasë vetëm sfidën e mesjavës ndaj Sampdorias. Interi është skuadra që shënon më shumë në Serinë A, 40 gola në 15 ndeshje, ndaj 34 të Milanit, 32 të Romës, 31 të Napolit (14 ndeshje) dhe 33 të Atalantës (14).
Sfidanti.al