“Dinamoviti i ri” Fabricio Mikoli, nga lavdia e golave tek gjyqet për Mafian!

Në fushë ka qenë padyshim mjaft i talentuar. Fabricio Mikoli shënoi mbi 220 gola gjatë karrierës së tij si futbollist profesionist, dhe është zgjedhur nga Dinamo e Tiranës si trajner i dytë, por ai është në gjyqe në Itali i akuzuar si i lidhur me Mafian. Historia nisi që në vitin 2013 kur doli në dritë një telefonatë e përgjuar e ish-kapitenit të Palermos me djalin e një bosi mafioz, ndërsa përdorte shprehjen “baltë” për Xhovani Falkonen, ish-gjykatësin e proceseve kundër Mafias, që u vra në një atentat mafioz në Siçili në 1992.

Më pas, prokuroria nisi një hetim ndaj Mikolit, që u akuzua se kishte kërkuar ndihmën e Mauro Lauriçelës, djalit të bosit mafioz, për të marrë 20 000 euro nga një biznesmen që nuk ia kthente një shoku të tij. Për ish-futbollistin ka dy vendime të gjykatave italiane që e nxjerrin fajtor dhe ai rrezikon të dënohet me 3 vjet e 6 muaj burg. Kjo u konfimuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, ndërsa avokatët e Mikolit e kanë dërguar çështjen e Kasacion.

Vetë ish-futbollisti kërkoi falje për fjalët e thëna për Falkonen, dhe për motrën e Falkones, por deklaroi se nuk mendon keq për ish-gjykatësin, se nuk është mafioz dhe se nuk është marrë me një aktivitet të tillë. Madje, ai pohoi se fjalët e thëna për Falkonen e detyruan të linte futbollin në vitin 2015. Ish-futbollisti 41-vjeçar, pasi mbylli karrierën e luajti për Fiorentinën, Palermon, Juventusin, Benfikën apo Leçen, u mor me Akademinë e tij të themeluar që në 2012 në Salento, dhe kjo është arsyeja që Dinamo i beson edhe  drejtimin e sektorit të të rinjve. Mikoli do të jetë ndihmës i Françesko Morieros, ish-lojtar i Interit, Napolit e Romës, me një karrierë 13-vjeçare si trajner në Itali.

Sfidanti.al