Çfarë “çorbe” në NBA, Dallasi thyen rekordin, por bie Kevin Duranti!

Një revolucion duhet të ketë ndodhur në ligën më të fortë të basketbollit të botës, dhe askush nuk merret vesh se kush “urdhëron”. Los Anxhelos Lejkërsat, kampionët në fuqi, e humbën derbin me Klipersat në ndeshjen e parë, pastaj Bruklin Netsat shkëlqyen dy herë radhazi me Kevin Durantin e Kajri Irvingun, por ja ku vjen “ditë e re, nafakë e re”. Klipersat pësuan disfatën më të rëndë në historinë e tyre në fushën e Dallasit, madje në pushim, në tabelë, ishte shkruar rezultati më i thellë i historisë moderne të NBA-së, që nga 1950-ta e deri më sot.

Dallasi ishte në avantazh 77-27 (!!!), ndërsa gjithë ndeshjen e fitoi 124-73! Luka Donçiç shkëlqeu me 24 pikë, por që të gjithë Maveriksat ishin të fortë, ndërsa Klipersave u mungoi më i miri, Kauai Leonard. Donçiç pati edhe 9 topa në tabela e 8 asistë. Kjo nuk do të thotë se Dallasi është tepër i fortë, sepse u mund thellë nga Lejkërsat në ndeshjen e kaluar. Po ashtu, Bruklin Netsat pësuan papritur humbje, edhe pse vetëm me 2 pikë 104-106, në fushën e Sharlotës. Duranti shënoi 29 pikë dhe Irvingu 25, por nuk mjaftuan. Katastrofë edhe për Miluokin megjithë lojën e mirë të Janis Antetokumbos. Ylli i NBA-së shënoi 27 pikë e kapi 13 topa në tabela, por humbja ishte e thellë, 110-130 ndaj Nju Jork Niksave. Fitore ndërkaq për Lejkërsat, 127-91 ndaj Minesotës, me 18 pikë e 9 topa në tabela për Lebron Xhejmsin që luajti vetëm 3 pjesë loje, ndërsa Entoni Dejvis mungoi për shkak dëmtimi.

Sfidanti.al