Mektominai si kombinimi “Skoulls-Kin”, Man. Junajtid si kandidat titulli!

Në mesin e janarit “djajtë e kuq” do të kenë përballjen me Liverpulin dhe ata padyshim që ëndërrojnë një kthim në krye të Premier Ligës. Kur kjo ndodh në gjumin e natës pasi ke mundur 6-2 Lids Junajtidin, padyshim që këto ëndrra janë më të bukura dhe të duken më të realizueshme. Mançester Junajtidi i Ole Gunar Solskjerit i përngjau fort atij të Sër Aleks Fergusonit që në 2011 shkatërronte 8-2 Arsenalin e Vengerit. Edhe këtë herë mund të kishte dalë ashtu, pasi Junajtidi humbi shumë raste, madje edhe një penallti. Nëse fiton edhe ndeshjen e prapambetur, atëherë ky ekip shkon në -2 pikë nga Liverpuli kampion e kryesues, pra ja përse shikohen ëndrra me majën e tabelës.

Skot Mektominai, në moshën 24-vjeçare, duket më në fund si njeriu i ndeshjeve të mëdha, një prodhim i akademisë së Junajtidit, por edhe i traditave më të mira të shkollës skoceze të futbollit, ashtu si Keni Dalglish, Graem Sunes, apo legjenda si Fergusoni e Shenkli. Ai shënoi dy gola dhe analistët televizivë anglezë deklaruan se “Mektominai ishte personifikimi i kombinimit të talentit të Pol Skoullsit me karakterin e Roi Kinit”. Ai mund të besohet për ndeshje të mëdha. Bruno Fernandes shënoi 2 herë, golat e tjerë i shënuan Lindelof dhe Xhejms. Solskjer la në stol Pol Pogbanë dhe Grinvudin, po ashtu Matën e Kavanin e Van de Bekun, ndërsa bëri vetëm 2 zëvendësime. Eleminimi në Champions nga Lajpcigu duket larg dhe “djajtë e kuq” duken krejt tjetër gjë.

Sfidanti.al