Një kalendar tepër i ngjeshur, sidomos për ekipet që luajnë në Europë, dhe problemin kryesor e kanë ata ekipe që nuk janë mësuar dhe nuk kanë potencialin e gjigandëve. Lacio e vuajti diçka të tillë në sfidën e luajtur në Serinë A, në fushën e Beneventos, dhe që përfundoi 1-1. Lodhja bëri të vetën, ndërsa kujtohen fjalët e lojtarit të Mançester Sitit, Gyndogan, që thotë se “ekipet që janë në Europë nuk i bëjnë dot dy fitore radhazi”.
Në fushën e Beneventos ishte edhe dueli i dy vëllezërve Inzagi, ku më shumë vuajti i vogli, Simone, trajner i Lacios. Superpipo, trajner i Beneventos, ishte më i kënaqur. “Nuk kemi fuqi as fizike dhe as mendore, – tha Simone Inzagi, – duhej të kishim fituar pjesën e parë. Benevento është ekip i bashkuar, me lojtarë të mirë dhe i freskët fizikisht”. “Me Simonen folëm mbrëmë në mesnatë, – tha Pipo duke qeshur, – çfarë çudie. Sa për ndeshjen, jam i lumtur për lojtarë e mi që po tregohen të mëdhenj”.
Lacio vërtet pati zotërimin e topit me 66 për qind, por kur erdhi puna tek gjuajtjet, nuk u tregua aspak e zonja, aq sa Benevento bëri më shumë me 6 goditje në kuadrat ndaj vetëm 3. Çiro Imobile kaloi në epërsi miqtë në 25’, por Paskuale Skiatarela barazoi në fund të pjesës së parë. Vetë Skiatarela doli me të kuqe, por ishte fundi (90’+2) dhe nuk luajti ndonjë rol. Në renditje, Lacio mbetet në vendin e 8-të me 18 pikë, ndërsa Benevento në vendin e 13-të me 12 pikë.
Sfidanti.al