Mesi siguron fitoren, renditja s’është keq, por Barça nuk shërohet!

“Plagët u shëruan … për momentin”. Kështu titulloi gazeta “Marka” e Madridit menjëherë pas sinjalizimit të gjyqtarit për fitoren e Barcelonës në La Liga ndaj Levantes. U desh një gol i Lionel Mesit në minutën e 75-të për të siguruar tri pikët në një përballje që sërish rezultoi më e vështirë sesa duhej të ishte. Edhe pse Levante kishte humbur 19 ndeshjet që kishte luajtur në “Kamp Nou”, këtë herë u duk se mund ta merrte pikën. Për fat është kapiteni që ndonjëherë tregon magjinë e tij.

“Liga është e hapur, – u shpreh Zhordi Alba, – edhe pse ndaj Levantes gjithnjë vuajmë. Ishim më mirë në mbrojtje, ndërsa sulmuesit lëvizën shumë. Leo krijon gjithnjë rrezik. Nuk është problem skema, duhet të përshtatemi, nëse i bëjmë gjërat siç duhet mund t’ia dalim. Ne i kemi mundësitë”. Barcelona ka 17 pikë në 11 ndeshje, pra renditja nuk është aq e keqe, veçse skuadra mbetet sërish “e sëmurë”.  Sociedadi kryeson me 26 pikë në 13 ndeshje, Atletiko ka 26 në 11, ndërsa Reali është në kuotën 20 në 12 ndeshje. Një lëmsh i madh që i jep shpresë katalanasve, por që ata vetë nuk i japin shpresë vetes dhe tifozëve.

Sfidanti.al