Një ish-lojtar i kombëtares së Francës thotë se “nëse ai do të kishte emër brazilian, do të ishte shumë më i vlerësuar”. Patris Evra e kishte fjalën për Olivie Zhirunë që shënoi golin e pestë në dy ndeshjet e fundit, duke ndihmuar Çelsin të fitonte me përmbysje 3-1 ndaj Lidsit në “Stemford Brixh” dhe të dilte në krye të renditjes në Premier Ligë, qoftë edhe përkohësisht. “Nëse ai do ta kishte pasur emrin Zhirudinjo, do të ishte shumë më i shquar”, – nuk ia përtoi Evra, sot analist.
Në mesjavë, kampioni i botës shënoi të 4 golat e Çelsit në fitoren 4-0 në fushën e Seviljes, diçka aspak e vogël, ndërsa gazetarët anglezë u referohen statistikave duke thënë se “Zhiru ka shënuar 6 gola në 6 ndeshjet e fundit të Premier Ligës kur ka luajtur si titullar”. Problemi është se 5 nga këto ndeshje ishin gjatë verës, kur u realizua “Projekti Rifillim” (Project Restart), ndërsa gjatë këtij sezoni trajneri Frenk Lampard pati “Projektin Jo Titullar” (Project No-Start) për 34-vjeçarin.
“Unë u ndodha përballë një muri, – tha Zhiru që përpara ndeshjes me Lidsin, – por, unë e ngjita atë mur”. Mediat britanike shkruajnë se francezi është sulmuesi më në formë i momentit në Premier Ligë. Patrik Bamford shënoi për Lidsin në 4’, pastaj Zhiru barazoi në 27’, Zuma kaloi blutë në epërsi në 61’ dhe Pulishiç shënoi për 3-1 në minutën e tretë shtesë. Çelsi ka 22 pikë në 11 ndeshje ndaj 21 pikëve të Totenhemit e Liverpulit që kanë luajtur nga 10 ndeshje.
Sfidanti.al