Pirlo është i lumtur me derbin, por pse Juvja ishte e “fikur” për 45 minuta?!

Nëse kundërshtari do të kishte pasur diçka më shumë cilësi, atëherë kampionët do ta kishin pasur punën pisk. Ishte një Juventus në gjumë ai që luajti 45 minutat e para të derbit në stadiumin “Alianc”, dhe siç pranon trajneri i tij, Andrea Pirlo, i humbi të gjithë duelet. Ishte fat që shifrat ishin vetëm 0-1 në pushim dhe që Andrea Beloti nuk arriti të shënonte për Torinon, edhe pse i fitoi të gjithë dyluftimet e tij. “Nuk mban dot frenat e lojës në dorë kur i humb të gjithë dyluftimet, – theksoi Pirlo, – për fat, ndryshuam pas pushimit. E kemi në ADN që të luajmë me zemër, që nuk dorëzohemi”.

Pirlo e ka të qartë se Juvja e tij nuk është ajo që duhet të jetë edhe pasi përmbysi shifrat në minutat e fundit me Mekkenin (77’) dhe Bonuçin (89’). “Juvja deri tani është një skuadër e “paarrirë”, – pranon trajneri, – ka gjëra që shkojnë, ka gjëra që jo. Kemi lojtarë me përvojë si Kuadrado që ka 10 vjet që luan ndeshje të tilla, por edhe si Kieza që deri vjet nuk kishte luajtur asnjë ndeshje në Europë. Nga Dibala dhe Kulushevski pres më shumë, pres më shumë nga të gjithë. Kryesorja është që të mos kemi ulje-ngritje, probleme në aspektin psikologjik. Sot nuk ka ndeshje që i fiton pa i luajtur”. Në renditjen e Serisë A, Milani ka 23 pië, Interi 21, dhe Juventusi 20.

Sfidanti.al