Tirana e Partizani fitojnë nga një pjesë, derbi del barazim!

Nëse gjyqtari Xhaja do të kishte pasur mendim tjetër, atëherë kampionët mund të kishin dalë fitues, por kjo nuk ndodhi dhe asnjëra nga skuadrat nuk e shënoi dot qoftë edhe një gol. Përfundoi barazim 0-0 derbi kryeqytetas në “Arenën Air Albania”, ku përveç mungesës së tifozëve, ndeshjen e prishi fusha tepër e dëmtuar e impiantit kryesor të Shqipërisë.

Partizani luajti më mirë në pjesën e parë, dhe Tirana pas pushimit, ndërsa fillimisht Danso e pastaj Muçi pretenduan për 11-metërsha. Protesta të logjikshme pasi duket se ka pasur kontakt në zonë, sidomos rasti i dytë kur ndaj Muçit u ndërhy, topi kaloi ndërsa këmba e mbrojtësit të kuq ndaloi sulmuesin bardheblu. Fillimisht rrezikoi Kardoso për Partizanin, kur gaboi portieri Bekaj, pastaj aksion i miqve me Malën dhe Solomonin, por sidomos rasti i Bardhit në 26’, topi i të cilit u ndal nga Bekaj.

Pas pushimit rolet ndryshuan dhe fillimisht Danso kërkoi penallti. Më pas, aksione të të dyja skuadrave me Bardhin dhe Torasën, ndërsa në 55’, u desh sërish Bekaj që të ndalonte një gol të të kuqve, pas aksionit të Bardhit me Kardoson. Në 30 minutat e fundit në fushë ishte thuajse vetëm Tirana, me Muçin që u bë disa herë protagonist, sidomos në 80’ kur nuk arriti të gjuante. Një minutë para fundit të kohës së rregullt, Muçi u rrëzua në zonë në duel me Asanin, por gjyqtari Xhaja nuk dha penallti. Kampionët e mbyllën në sulm, duke luajtur ndoshta ndeshjen më të mirë të sezonit pikërisht në derbi, por pa mundur të marrin fitoren. Partizani ka 11 pikë në 6 javë, ndërsa Tirana 6 pikë.

Sfidanti.al