Javier Mascherano tha ‘mjaft’. Në moshën 36 vjecare, mesfushori argjentinas deklaroi tërheqjen nga futbolli I luajtur menjëherë në përfundim të ndeshjes mes Estudiantes dhe Argentinos Junior.
‘Dua të lajmëroj se tërhiqem nga futbolli profesionist-tha Mascherano-dua të falenderoj këtë klub që më dha mundësinë të mbyll karrierën në Argjentinë. Është koha që t’i japë fund karrierës sime, për ndenjat që kam, për gjërat që më kanë ndodhur këto muaj në nivelin personal dhe pasi u mendova gjatë gjithë kësaj kohe, duhet ta mbyll këtu’.
Me origjinë nga Santa Fe, Mascherano u formua si futbollist në vendlindje mes radhëve të River Plate ku luan si me skuadrën e të rinjve ashtu edhe me ekipin e parë në kampionatin profesionist. Pas një periudhe të kaluar në Brazil te Corinthinans, në vitin 2006 Mascherano vjen në futbollin evropian ku ishte West Ham që e bleu për rreth 15 milionë Euro, por mes argjentinasit dhe klubit londinez nuk pati kurrë ndjenja dhe pas vetëm 1 sezoni në Londër ai u transferua te Liverpool, klubi i parë i madh në karrierën e tij
Gjatë 3 sezoneve me The Reds, Mascherano bëhet lideri i mesfushës së skuadrës teksa u bë hallka perfekte që lidhte dy fazat e lojës. Një luftëtar i vërtetë i mesit të fushës që garantoi shumë cilësi së bashku me Steven Gerrard dhe Xabi Alonson në një skuadër që në ato vite iu afrua shumë triumfeve; një finale e Champions të humbur kundër Milanit, një eliminim në gjysmëfinale nga Chelsea dhe një vend I dytë në Premier League në 2009 pasi Liverpooli dominoi në fazën e parë.
Për të ngritur trofetë e parë të rëndësishmë në karriere, Mascheranos iu desh të presë skuadrën e tij të ardhshme, Barcelonën që në 2010 pagoi 22 milionë Euro për ta sjellë në katalonjë. Me Blaugranat e Messit, Xavit e Iniestës, argjentinasi fitoi gjithcka; 4 herë kampion në La Liga, 4 Kupa Mbreti, 3 Superkupa të Spanjës, 2 Champions League, 2 Superkupa Evropiane dhe 2 Botërorë për klube.
Një rrugëtim i pasur me fitore që Mascherano I përjetoi edhe nëpërmjet një evoluimi teknik të aplikuar nga Pep Guardiola. Në 2011, problemet fizike të Pique dhe Puyol e bindën teknikun katalanas të tërheqin prapa në pozicion Mascheranon i cili shndërrohet në një lider të mbrojtjes, një qendërmbrojtës i përshtatur. Eksperimenti rezultoi i suksesshëm, një prej kyceve taktike të asaj Barcelone që arriti të ngrejë trofe edhe pas largimit të Guardiolës.
Pozicionin e qendërmbrojtësit, Mascherano e mbuloi edhe me përfaqësuesen argjentinase me të cilën ka rekordin me 147 ndeshje të zhvilluara. Me Argjentinën, Mascherano iu afrua shumë titullit botëror në 2014 me Messin përkrah teksa skuadra Albiceleste u mund në finale nga Gjermania në kohën shtesë , gjë që përbën edhe një nga pengjet më të mëdha të Mascheranos.
Në 2018 mbylli aventurën me Barcelonën dhe u transferua në Kinë te skuadra e Hebei, por pas vetëm një sezoni vendosi të mbyllë karrierën në vendlindje. Estudiantes ishte skuadra e tij e fundit, etapa finale e një jete sportive e karakterizuar nga sukseset, një rrugëtim i jashtëzakonshëm të cilin Mascherano 36 vjecar vendosi ta mbyllë këtu.
Sfidanti.al