Nga 2 golat e Timo Vernerit, tek dy penalltitë e humbura të Ramosit!

Ishte e hidhur mbrëmja e rekordit europian për kapitenin e Spanjës. Mbrojtësi i qendrës, Sergio Ramos, humbi dy penallti në Zvicër dhe iberikët mezi shpëtuan të paktën pikën. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë kjo gjë, as me Ramosin dhe as me Spanjën, por ja që ngjau. Vetë Ramosi ka 177 ndeshje për “furitë e kuqe”. Remo Frojler i Atalantës kaloi vendasit në epërsi në 26’, ndërsa spanjollët shpëtuan në minutën e parafundit falë golit të Gerard Morenos.

Gjermania përballoi një të papritur, ndërsa u ndodh në një situatë të pazakontë ndaj Ukrainës, me ndeshjen që mund të ishte anuluar. Sllavët shënuan papritur me Roman Jaremçukun, port ë besuarit e Joakim Lëvit reaguan shpejt. Leroi Sane në 23’ dhe Timo Verner në 33’ përmbysën shifrat për 10 minuta. Sulmuesi i Çelsit vulosi shifrat në pjesën e dytë (64’). Gjermanët u ndihmuan nga fakti se Ukraina pati 4 lojtarë pozitivë me Kovid, Jarmolenkon, Sidorçukun, Kovalenkon dhe Cigankovin.

Gjermania ka 9 pikë ndaj 8 të Spanjës, por lojtarët e trajnerit Luis Enrike do ta kenë në fushën e tyre përballjen direkte, në 18 nëntor, që do të luhet në Sevilje.

Sfidanti.al