Harroni Alabën, Bajerni tani shqetësohet për rinovimin me 3 yje!

Flitet për futbollistë që kanë qenë të rëndësishëm, dhe nga ata që janë bërë edhe më të rëndësishëm me trajnerin Hansi Flik. Bajerni i Mynihut planifikon bisedime me 3 nga yjet dhe pikërisht me Xhoshua Kimihun, Leon Goreckën dhe Niklas Zylen. Kimih, i përcaktuar nga Rumenige si “kapiteni i së ardhmes” , ka kontratë në Mynih deri në 2023, por bavarezët nuk duan t’i lenë asgjë rastësisë. Pra, gjatë këtij sezoni duhet arritur një akord për rinovimin.

Gorecka është bërë shtyllë e ekipit me Hansi Flikun dhe kontrata e tij përfundon në 2022. Në Mynih mendojnë se bisedimet duhet të zhvillohen këtë vit, ashtu si edhe për mbrojtësin Zyle, ndërsa duhet bërë kujdes që çështjet të mos bëhen publike, siç ndodhi me David Alabën. Mediat gjermane shkruajnë se Bajerni nuk ka ndërmend të ofrojë kontratë tjetër për mbrojtësin austriak që po shkon drejt largimit me parametër zero. Presidenti i klubit, Hainer, thekson ndërkaq se “ne kemi skuadër me lojtarë me përvojë dhe me lojtarë të rinj, e duam që ta mbajmë të bashkuar për një kohë të gjatë”.

Sfidanti.al