Urdhëri i Guardiolës për Sitin: Kualifikim shpejt në Champions, dhe pushim!

Dy ndeshje, dy fitore, gjashtë pikë dhe 6 gola të shënuar. Kjo është një paraqitje e vërtetë prej Mançester Siti, edhe pse jo në Premier Ligë por në Champions, në kompeticionin “e mallkuar” për qytetarët. Pep Guardiola, që ka aftësinë të harrojë fatkeqësitë e së kaluarës dhe të shikojë përpara, u ka dhënë lojtarëve të tij një urdhër të prerë: Kualifikohuni sa më shpejt në Champions që të pushoni, sepse kalendari i dhjetorit është i tmerrshëm”. Kjo po ndodh pasi Ferran Torres, Ilkai Gyndogan dhe Rahim Stërling shënuan në fitoren 3-0 në fushën e Olimpikut të Marsejës, pavarësisht mungesës së yjeve të vërtetë të sulmit si Kun Aguero apo Gabriel Zhezus. Siti kryeson me 6 pikë ndaj 3 të Portos dhe Olimpiakosit, ndërsa Marseja ka 0 pikë. “Jemi një fitore larg, ndërsa duhet të fitojmë ndeshjet në shtëpi, – tha Pepi, – deri në javën e katërt në Champions ne duhet të jemi kualifikuar”. Vështirësia nis që të shtunën ndaj Shefild Junajtidit, por trajneri shpreson që deri në dhjetor yjet e tij të kenë pushuar për të qenë gati.

Sfidanti.al