Futbolli në kohën e Pandemisë së parë dhe të dytë ka dëshmuar me vepra se po të kishte një fytyrë, do të vinte maskë përmbi maskë! E mbani mend thirrjen e veçuar të shefave të futbollit në valën e parë të epidemisë. Kur të gjithë kishin ulur qepenat.. “kioska e FSHF-së” pretendonte të nxirrte punonjësit në fushë , të vazhdonte misionin “ e madh” , pasi sipas tyre shqiptarëve të varfëruar e vetmja pasuri u kishte mbetur futbolli! Pale ç‘u tha në një deklaratë, me gojën e FSHF-së, ku qeveritarët shtetarë që pengonin rifillimin e kampionatit u cilësuan si burokratë me talent së prapthi , që privonin shqiptarët të jetonin, pasi jeta e tyre s’kishte kuptim pa futbollin…
..Kur erdhi vala e dytë e Pandemisë, kur edhe bota shqiptare si Bota e madhe, u detyrua të vendoste maskën përmbi maskë , vetëm ajka e Superligës, ose e pjellës së saj shëmtaraqe , ajo që e ka emrin Shtrigë , por shkurt i thonë Ligë, , vendosi ta hiqte maskën e lindjes! Futbolli që në Pandeminë e parë u shit si “buka” e shqiptarëve, në kohën e Pandemisë së dytë është vetmbyllur brënda kioskës prej gati 2 muajsh, ngaqë Shteti nuk po dorëzohet 100% , por vetëm 90 e ca përqind për plotësimin e 4 kërkesave të famshme të mbijetesës. Dhe kur një “Parti” futbolli , e cila është mësuar gjithë jetën me votimet e Asamblesë Zgjedhore, ku 100% i votave shitet si një bollokume tradicionale, shifra 90% merret si një fyerje gati historike në këto dy dekada!
Të rrosh apo të mos rrosh? Po të kishte gojë futbolli, këtë pyetje që vjen nga tragjeditë njerëzore, do ta bënte vetë i pari. Pabesia e atyre që shpikin bojkote apo lojëra kote, na pëlqen apo s’na pëlqen, ka vulën e një talenti të zi! Në fillim i morëm virgjërinë lojës, më pas u boshatisën stadiumet dhe kujtuam se më keq nuk ka ku shkon. E keqja paska gjetur gjahun e vet! Tani që kemi 2 muaj pa futboll , shefat po “luajnë” nëpër mbledhje , kurse futbollistët kanë dalë në një papunësi “të lumtur”. Edhe pse janë të marrë peng, duket sikur u rritet dashuria për pengmarrësit. Dhe kanë një arsye shqiptare: duronin disa muaj pa rrogë kur luanin në kampionat dhe merrkan “rroga” rregullisht në javët e “kampionatit të bojkotit”..
Sfidanti.al