Investitorë misteriozë synojnë të blejnë kampionatin botëror të klubeve!

Gazeta “Nju Jork Tajms” shkruan se investitorë misteriozë i kanë ofruar, madje, 25 miliardë dollarë Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) që ta blejnë këtë konkurrim të saj. Kjo gazetë e njohur amerikane shkruan se FIFA, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka marrë ndonjë ofertë të tillë, ndërkohë që thuhet se gjatë takimit, ku u prezantua kjo ofertë, ishin të pranishëm presidenti i “shtëpisë” botërore të futbollit, Xhani Infantino, dhe disa blerës potencialë, më saktë, një grup investitorësh nga Lindja e Mesme dhe Azia që duan të blejnë një version më të gjerë të kampionatit botëror të klubeve dhe ligën globale të ekipeve kombëtare që kanë në plan ta propozojnë vetë investitorët.

Infantino nuk i zbuloi emrat e blerësve potencialë, por bëri të ditur se ata presin përgjigje. Nëse FIFA do ta pranojë një ofertë të tillë, atëherë, kjo do të jetë një përmbysje e madhe në politikën e saj që, prej disa dekadash po “ushqehet” me para të siguruara nga shitja e biletave, sponsorizmet dhe shitja e TV-të drejtave.

Sfidanti.al