Toronto ëndërron titullin në NBA, pas shkëlqimit të Leonardit!

Asnjëra nga skuadrat nuk donte të eleminohej. Nuk kishte rëndësi fusha, por vetëm fakti se luhej ndeshja e fundit dhe përcaktuese për kualifikim, në gjysmëfinalen e Konferencës Lindore në NBA. Toronto Raptors ndaj Filafelfia Siksërs në Arenën kanadeze u kthye në një duel historik, ku dy rivalët shkuan pikë më pikë, në kërkim të fitores.

Gjithsesi, pati një ndryshim në duelin e shtatë, ndërsa rezultati ishte i barabartë 3-3. Filadelfia luajti si ekip, ku pesë lojtarët e formacionit ishin thuajse të barabartë në parket, ndërsa vendasit u mbështetën thjesht dhe vetëm tek ylli kryesor, Koui Leonard. Basketbollisti me numrin 2 në fanelë, bëri diferencën duke shënuar  41 pikë, e duke pasur edhe 8 topa në tabela, 3 asistë dhe 3 vjedhje topi.

Ish-lojtari i San Antonios nuk është se nuk gaboi, përkundrazi shpesh nuk ishte i saktë në gjuajtjet e tij, por e nderoi këmbëngulja për t’i shkuar sfidës deri në fund. Leonardi është vlerësuar prej kohësh si një basketbollist me potencial për të udhëhequr skuadra drejt titullit, madje u bë një krahasim mes aftësisë së tij shënuese dhe asaj të Majkëll Xhordanit.

Do të shihet nëse do t’ia dalë në duelin e madh ndaj Janis Antetokumbos. Për momentin, numri 2 mund të ndihet krenar për koshin vendimtar që shënoi, që siguroi fitoren 92-90, ndërsa binte sirena e përfundimit të ndeshjes. Ishte hera e parë që një kosh shënohej në sirenë, gjatë një gjysmëfinaleje të konferencave në historinë e NBA-së.

Tashmë, u përcaktuan finalet, dhe në Lindje do të luajë Miluoki ndaj Torontos, e në Perëndim, Golden Stejti kundër Portlendit, që eleminoi Denverin po në ndeshjen e shtatë, madje jashtë fushe.

Sfidanti.al