Rekordet e Kërrit nuk kanë të mbaruar, ja ai i tripikëshave!

Ka shumë sfida loja e basketbollit dhe Stefën Kërri është lojtari që sot për sot fiton më shumë prej tyre. Ylli i Golden Stejtit, lojtari më i mirë i dy sezoneve të fundit të NBA-së, theu edhe një tjetër rekord në karrierën e tij të lavdishme. Ai realizoi 13 gjuajtje për tri pikë në përballjen mes Golden Stejtit dhe Nju Orlinsit, duke ngjitur më lart “stekën” e këtij konkurrimi. Rekordi i mëparshëm i përkiste atij, Kobi Brajantit, dhe Doniel Marshallit, me 12 gjuajtje të sakta në një ndeshje të vetme.

Kërri duket se po nis të përjetojë sërish atë që provoi vjet kur, bashkë me skuadrën theu rekorde të shumta, edhe pse nuk doli dot kampion. Më saktë, lodhja e tmerrshme e rekordeve la gjurmë dhe u ndje në finalen ndaj Klivlendit të Lebron Xhejmsit. Mbi të gjithë, rekordi i 73 fitoreve dhe vetëm 9 humbjeve në një sezon të rregullt, duke ulur nga froni “Madhërinë e Tij” Majkëll Xhordanin dhe Çikago Bullsin.

Basketbollisti shtatvogël ka edhe disa “më i miri” në kategori të ndryshme. Ai ka rekordin e tripikëshave në një sezon të rregullt (402), rekordin e ndeshjeve radhazi me të paktën një tripikësh (157), rekordin e ndeshjeve radhazi me tripikësha në plej of (58), rekordin e numrit të tripikëshave të realizuar në një plej of të vetëm (98, së bashku me Klej Tompsonin), si dhe rekordin e më shumë pikëve të shënuara në kohë shtesë  në NBA (17). Kjo është “pasaporta” e një kampioni.

B. Kuka