NBA, Batler fiton duelin me Lebronin, Lejkërsat humbin “përsëritjen” e finales me Majemin!

Këtë herë nuk bëri punë as faktori fushë. Los Anxhelos Lejkërsat pësuan një tjetër humbje në NBA, këtë herë brenda në “Stejpëlls Sentër”, ndërsa basketbolli amerikan ndoqi një përsëritje të finaleve të vjetshme të plej ofit. Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur Lejkërsat triumfuan dhe u shpallën kampionë, këtë herë fitoi Majemi me rezultatin 96-94.

Xhimi Batler shënoi 24 pikë, duke kapur 8 topa në tabela, shërbyer 4 asistë e vjedhur dy topa, ndërsa shënuesi më i mirë për ekipin nga Florida ishte Kendrik Nun me 27 pikë. Bam Adebajo e Dankën Robinson dhanë kontribut të madh me nga 10 topa në tabela e shumë pikë të shënuara, por forca kryesore e Majemit ishte në mbrojtje. Jo më kot, asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënonte as 100 pikë, diçka e habitshme për standardet e basketbollit amerikan.

Lebroni nuk luajti keq dhe iu afrua një tjetër tripëll dabëlli, por u mbulua fort, dhe ndjeu mungesën e zgjatur të yllit tjetër, Entoni Dejvis që mbetet i dëmtuar. Xhejmsi shënoi 19 pikë, kapi 9 topa në tabela e dha 9 asistë, ndonëse e humbi 5 herë topin. Ai u ndihmua sidomos nga Kajl Kuzma që shënoi 23 pikë, por Lejkërsat humbën duelin në tabela, gjë që solli edhe humbjen.

Kampionët në fuqi të NBA-së zbritën në vendin e tretë në renditjen e Konferencës Perëndimore, me të njëjtin bilanc si Klipersat, ndërsa Juta Xhazi mbetet i shkëputur në krye. Majemi, ndërkaq, pavarësisht fitores është në pozita të dobëta, vetëm në vend të 10-të në Lindje, por shpresohet që ky sukses t’ia ndryshojë sezonin.

Sfidanti.al