Gjokoviçin e mund dëmtimi, të lumtur Federeri e Nadali!

Ka dy gjëra të cilat nuk mund t’i përballojë numri 1 i botës në tenis. Së pari, Rafael Nadalin kur luhet në “Rolan Garos”, dhe së dyti dëmtimin. Njëra prej këtyre fatkeqësive e goditi Novak Gjokoviçin në US Open, duke mos e lejuar që të mbrojë titullin e të fitojë Grand Slemin e 5-të në 6 të fundit. Legjenda nga Beogradi u tërhoq në ndeshjen ndaj Stan Vavrinkës, pasi humbi dy setet e parë, 4-6 e 5-7, dhe pasi po humbiste 1-2 edhe në të tretin, ndërsa dhimbjet në shpatull nuk e lejuan të vazhdonte.

Një “bombë” për Grand Slemin e fundit të vitit, që i hap rrugën dy gjigandëve të tjerë, Rozher Federerit e Rafa Nadalit, por ndoshta edhe ndonjë pretendenti tjetër si vetë Vavrinka, apo rusi Medvedev. Në çerekfinale do të ndeshen pikërisht Vavrinka me Medvedevin, Federeri me Dimitrovin, ndërsa mbeten për t’u përcaktuar dy çiftet e tjerë. “Ka raste që trajtimi me fizioterapi ndikon, ka raste që jo, – u shpreh Nole pas tërheqjes, – thjesht, është trupi yt që të tregon se kur mund të vazhdosh dhe kur jo. Gjatë gjithë javës kam pasur dhimbje, ndonëse jo çdo ditë njësoj”.

Sfidanti.al