CSKA, je favorite Eurolige nëse fiton në Athinë me Panathinaikosin

Tifozët në Pallatin e Sportit “Paqja dhe Miqësia” ishin mbi 18 000, gati si ato ditë të 1987-ës kur Greqia e Niko Galisit fitonte Europianin e basketbollit. Edhe këtë herë kundërshtari erdhi nga Moska, jo ish-BRSS, por CSKA-ja që nuk u impresionua nga entuziazmi i jashtëzakonshëm grek. E mbushur me lojtarë të huaj, “korracata” e Euroligës kaloi me autoritet kryeqytetin grek, Athinë, duke fituar 75-70 e duke vazhduar udhëheqjen e renditjes. Për më tepër, dha edhe një mesazh tepër të fortë.

Sergio Rodrigez shënoi 21 pikë, Nando De Kolo pati 10 pikë, 2 topa në tabela, 3 asiste, 2 vjedhje topi, të gjitha në 27 minuta lojë, ndërsa amerikanët Higins e Otello shënuan përkatësisht 14 e 12 pikë. Përballë tyre, nuk ia doli dot Panathinaikosi, ku më të mirët ishin lojtarët grekë. Niko Papas shënoi 14 pikë, Nik Kalathes 13 pikë (plus 6 topa në tabela e 11 asistë) dhe afrikani i natyralizuar, Thanasis Antetokumpo (vëllai i Antetokumpos së NBA-së) shtoi 13.

Ishte javë e mirë për ekipet e ish-Bashkimit Sovjetik pasi Himki i Moskës mundi Olimpiakosin 82-54 dhe Zhalgiris i Kaunasit kaloi Valencian, 86-82. Reali u mund në derbin spanjoll në fushën e Malagës (75-80), ndërsa Fenerbahçe e fitoi derbin e Stambollit, 89-84 në fushën e Anadolu Efesit.

Renditja: CSKA 15 fitore, 4 humbje, Fenerbahçe 13-6, Olimpiakos 13-6, Real 12-7, Panathinaikos 12-7, Zhalgiris 12-7.

Sfidanti.al