Amerika nxjerr “asin nën mëngë”, yllin e ri të tenisit, Kori Gauf!

Nuk kishte lindur ende kur kampionia që do të ketë përballë fitonte titullin këtu. Kori Gauf, e quajtur me përkëdhelje Koko, u bë tenistja më e re në historinë moderne që kualifikohet për në Grand Slemin më të madh të këtij sporti, Uimbëlldonin. Adoleshentja amerikane ia doli në moshën 15 vjeç e 122 ditë, ndërsa lindi në 2004, katër vjet pasi rivalja e saj në raundin e parë, Venus Uilliams, fitoi titullin e parë në Londër.

Vajza e rritur në Florida mund të quhet produkti i fundit i shkëlqyer i tenisit amerikan, edhe pse ende në vendin e 301-të në botë. E lindur nga dy prindër sportistë, babai basketbollist dhe mamaja atlete, ajo është bërë fenomeni i momentit në Shtetet e Bashkuara, e lënë pas vetëm nga ylli i ri i NBA-së, Zion Uilliamson. Në eleminatoret e Uimbëlldonit, ajo mundi fillimisht spanjollen Bolsova, pastaj në gjysmëfinale rusen Ivahnenko, dhe në raundin e tretë, belgen Gret Minen.

“E dija se nuk isha favorite dhe luajta thjesht për t’u kënaqur, – tha më pas 15-vjeçarja, – nuk është se prisja shumë nga vetja, por ia dola. Tani do të luaj ndaj Venusit, ndërsa motrat Uilliams kanë qenë idhujt e mi. Unë u bëra teniste prej tyre, dhe sidomos nga Serena”.

Kori Gauf është vetëm njëra nga 16 tenistet e kualifikuara për në Grand Slemin numër 1 të botës, ndonëse ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen. Padyshim, përvoja do të jetë në anën e Uilliamsit 39-vjeçare, e cila kishte fituar 5 Grand Sleme derisa Kori lindi, por sporti prandaj është i bukur, sepse të papriturat ndodhin.

Sfidanti.al