Përse Vasil Ruci  “hodhi në det italianët”? Përse-të e javës..

-Përse ish-bomberi i famshëm vlonjat Vasil Ruci, në një intervistë ka thënë se vlonjatët hodhën në det  italianët dhe FSHF dashka të pushtojë futbollin e qytetit të tyre?

-Sepse në Vlorë, kur mungon lufta e vërtetë në fushë, atë që shijonim në kohën e Rucit dhe brezit të tij, ngaqë nuk thonë dot emrat fajtorë, fillojnë nga lufta me italianët…

-Përse çunat e Intitucionit të Futbollit gati stepen dhe frikësohen kur dikush i pyet nëse Federata dhe Partia Agrare kanë bërë ndonjë binjakëzim ?

– Sepse ngushëllohen me shprehjen  e vjetër se “ vëllai duhet të bëjë sakrificë për vëllain”,  duke justifikuar fushatën e Dukës së futbollit për Dukën e Partisë Agrare…

-Përse ish-sulmuesi i Kombëtares, njeriu i stafit të Kombëtares, Bogdani  deklaron se do të ishte më fatlumi nëse do t’i jepnin Shpresën?

-Sepse  të gjithë e dinë fort mirë se Shpresa, ndryshe nga Kombëtarja, nuk kërkohet disiplina e hekurt që predikohet në ekipin e madh, por më shumë bindje dhe përulje…

-Përse ish-sulmuesi, Agustin Kola, në një intervistë, ka qëlluar edhe brezin e tij, një brez i talentuar në fushë, ngaqë gënjehen me nga një qofte presidenciale?

-Sepse futbolli kërkon edhe një talent tjetër, që bezdisë presidentët dhe skemën e përgjithshme, kur gjërat thuhen troç dhe pa hipokrizi..

-Përse trajneri Agostineli mburrej para ndeshjes me Partizanin se dinte të gjitha sekretet e “shtëpisë së kuqe”?

-Sepse italianët,  më shumë se kushdo, e zbukurojnë futbollin tonë edhe me fjalë , siç na pëlqen përralla edhe ne…