Rrëzimi i Tiranës dhe një skaner për “xhunglën e futbollit”!

Në futboll është si në politikë, si në jetën e përditshme. Nëse dikush kërkon të zgjidhet në një post të lartë, të themi president apo kryetar partie, atij i duhen vota, i duhet mbështetje. Kur sheh rreth e rrotull, kandidati për kolltuk kupton se ka disa persona që mund ta ndihmojnë, dhe këta janë ata që janë bërë milionerë sipas parimit “mos më pyet për milionin e parë”, dhe me këtë pasuri ata ndërtojnë biznese ku punësojnë njerëz, kanë mundësi të paguajnë ndonjë “tridhjetëshe” apo “pesëdhjetëshe”, duke bërë për vete qindra persona.

Këta milionerë që nuk duhet t’i pyesësh për milionin e parë kanë shtënë në dorë edhe futbollin shqiptar, janë “kryefamiljarët” e tij që nëpërmjet Asambleve krijojnë forumet e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nga kjo “panoramë”, të nderuar lexues, kuptohet qartë sesi mund të funksionojë një kampionat apo një kupë e Shqipërisë, sesa vlerë mund të kenë trajnerët, futbollistët dhe tifozët. “Agallarët” e rinj kanë krijuar legjendën se “po i heqim bukën fëmijëve nga goja për t’ia dhënë skuadrës së qytetit”, dhe nga kjo i japin vota politikës, por fitojnë tendera për vete.

Është e pamundur të kesh “veting” në këtë xhungël, ku po nuk ishe egërsirë je i destinuar të shqyesh dhe të vdesësh. Kështu i qëlloi Tiranës, që për emrin që ka nuk gabojmë ta quajmë “e madhe”. Kështu ndodhi me skuadrën që nuk solli tragjedi sepse ra nga kategoria (me përjashtim të tifozëve të saj që e ndjenë si të tillë), por krijoi dramë për mënyrën sesi ra.

Presidenti Halili mund të ketë shumë mëkate, por nuk mund të thuash se skuadra e tij nuk luajti futboll. Pyeteni Skënderbeun, Partizanin, Flamurtarin e fazës së parë dhe Kukësin, kur bardheblutë luajtën seriozisht dhe i morën dy barazime. Për fat të keq, në futbollin shqiptar nuk vlen sesa futboll të mirë luan, nuk vlen se mund të shpenzosh 70 milionë lekë në muaj për rrogat, por vlen sesa miq ke në filan institucion, sesa bën për vete arbitrat, pra sesa “egërsirë” je në xhunglën e futbollit shqiptar.

Njëlloj si në jetën e përditshme ku mund të jesh profesionist i shkëlqyer, të dish edhe 5 gjuhë të huaja, të kesh mbaruar edhe në Bolonjë, Sorbonë apo Harvard, dhe sërish të presësh pa shpresë tek dera e zyrës së punës. Tirana ishte skuadra që sipas statistikave nuk i jepej thuajse kurrë penallti, ndonëse në të kaluarën bardheblutë kanë qenë në “krahun e kundërt”, pra më shumë të mbrojtur nga gjyqtarët. Atëherë kur dinin të ishin “egërsirë xhungle”.

E gjitha kjo sjell që futbolli në Shqipëri nuk krijon më breza lojtarësh të mëdhenj siç ndodhte në vitet 50-të, 60-të, 70-të apo 80-të, por krijon vetëm “kokrra” të veçanta. Kjo sjell që edhe presidenti i Federatës, që zgjidhet në post nga këta “agallarë”, të dalë përpara mediave dhe të bëjë analizën-stampë të sezonit, me fjalët “gjyqtarët gabojnë kudo, por nuk duhet t’i vendosim nën presion”, “secili ka marrë në fushë atë që ka merituar”, “nuk mbaj me hatër askënd”, “duhet të bëjmë më shumë për të parandaluar fenomenet negative”. Besohet, edhe në futboll vetingun do ta sjellin ndërkombëtarët, ose ndryshe ai do të dojë breza që të vijë.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *