Metamorfoza e Starovës, Moxhi nga “çelësi magjik” tek.. çelësat e kashtës

Ka shumë nga ata që kërkojnë një përgjigje se përse Partizani ka bërë startin më të dobët në historinë e tij: 4 ndeshje, asnjë gol dhe asnjë fitore. Kur pyetet trajneri për këtë, ai është gjithnjë diplomat, por gjithsesi vetëm një i “familjes” mund të na shpjegojë se çfarë ndodh brenda të kuqve. Dhe kush më mirë se Starova mund t’i gjejë diagnozën “virusit” të mistershëm që ka kapur Partizanin?

Ish-trajneri, sot këshilltar i presidentit Gaz Demi, deklaron në një intervistë për “Panorama Sport” se janë disa problemet e të kuqve, por më i madhi mbetet dështimi në merkato. Po, “Bobi” pohon se merkatoja e Partizanit, ku u larguan 6 lojtarë dhe u afruan 10, la shumë për të dëshiruar.

Starova, si ju duket Partizani?

Para ndeshjes me Lushnjën ishte pak të thuhej se kishim probleme, ndërsa pas kësaj ndeshjeje më duket katastrofë.

Cilët janë arsyet që skuadra është në këtë gjendje?

Ka disa për mendimin tim, por mbi të gjitha është merkatoja jo e mirë që u bë gjatë verës. U larguan futbollistë me cilësi si Ekuban, Ramadani, Torrasa, Mazrekaj, Cetkoviç dhe u afruan lojtarë mesatarë ose më keq akoma “mollë të kalbura”.

Për kë e keni fjalën konkretisht?

T’i marrim me radhë… Çani  ka probleme fizike dhe natyrisht që duhet pritur, sepse potenciali i tij nuk vihet në diskutim. Adorjan dha disa sinjale të mira me Laçin, por me kalimin e kohës kuptohet që është lojtar fare normal, nuk e bën dot diferencën. La Kamera gjithashtu lojtar mesatar…

Pastaj vijmë te disa të tjerë si Basrak që nuk ka lidhje fare me nivelin e Partizanit. Shahinas që nuk është parë kurrkund…, apo mbrojtësi i djathtë që erdhi nga Italia dhe nuk dihet se çfarë bën… Për mendimin tim është gabuar shumë në merkato, sepse lojtarët që ikën jo vetëm nuk u zëvendësuan si duhet, por u krijuan edhe ndasi me pjesën tjetër.

Ku e keni fjalën?

Partizani ishte ekipi nënkampion dhe një bazë të mirë lojtarësh e kishte. Qëllimi ishte që të përmirësohej akoma më shumë dhe të zëvendësoheshin sa më mirë ata që ikën.

Por a ndodhi kjo?

Nuk besoj. Ikën 6 lojtarë dhe erdhën 10. Në këtë moment, pjesa ekzistuese e skuadrës dhe duhet ta themi se janë lojtarë me peshë nuk dinin më nëse do të luanin, ku do të luanin dhe çfarë do të bëhej me ta. Partizani nuk është Milani që ribën pothuaj gjithë formacionin bazë me 220 milionë euro të shpenzuara. Partizani ishte një ekip me bërthamë dhe kishte nevojë vetëm për disa riparime. Por nuk ndodhi kështu. Madje, situata precipitoi duke nxjerrë edhe disa lojtarë jashtë rolit. Kjo nuk ishte aspak e shëndetshme në momentin që u pa se skuadra nuk funksiononte.

E kujt është përgjegjësia sipas jush?

E drejtorit dhe e stafit teknik. Lojtarët i zgjodhën ata dhe rrjedhimisht përgjegjësia është e tyre.

Mos po tregoheni paksa shumë i ashpër dhe keni ndonjë pakënaqësi edhe për motive influence në bordin e Partizanit?

Aspak, dhe ua vërtetoj këtë që them. Nuk është çështje xhelozie, por çështje përgjegjësie. Duhet t’i themi gjërat siç janë dhe unë u kam thënë drejtuesve që në fillim se lojtarë si Basrak, apo edhe disa të tjerë aty nuk kanë asnjë lidhje me klubin dhe emrin e Partizanit. Nuk më dëgjuan, punë e tyre…

Si dilet nga kjo situatë e vështirë?

Bëhet një bilanc dhe themi ku jemi me gjendjen e lojtarëve. Një pjesë e atyre që nuk bëjnë, “mollët e kalbura” pra duhet të ikin dhe duhet të piketohen lojtarët që duhen afruar në janar. Kaq, është e thjeshtë. Nuk shoh asnjë zgjidhje tjetër.

Po trajneri a ka përgjegjësi?

E thashë që në fillim, të gjithë kanë përgjegjësi. Tifozët e Partizanit u shfryjnë lojtarëve tani. Edhe mua më kritikonin dikur për zgjedhjet që bëja, por nëse kërkon lojë të shpejtë, por nuk kontrollon dot gjerësinë në fushë, apo nuk arrin të çash dot “betonin” që vendosin skuadrat e vogla, atëherë pa dyshim që ke përgjegjësi si trajner.

A ka klane te Partizani?

Nuk është çështje klanesh. Nuk shoh klane më shumë se sa disa të rinj të papërshtatur si duhet dhe disa lojtarë të boshtit që kanë qenë në stres dhe të pamotivuar si duhet për të marrë përgjegjësinë që u takon.

JETMIR HALILAJ

Marre nga gazeta Panorama Sport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *