Ta besojmë apo jo humbjen e Realit? Kadizi e bën të qajë në Madrid!

Ishte humbja e parë e sezonit dhe nuk mund të thuhet se pati problem me mungesat. Reali i Zinedin Zidanit pati një “dush të ftohtë” nga një kundërshtar kaq modest sa më nuk bëhet, pikërisht nga Kadizi, madje në fushën e vet. Përfundoi 0-1 në “Miniestadi Alfredo Di Stefano”, diçka që nuk është fundi i botës, por që krijoi shqetësim të madh tek tifozët dhe drejtuesit e klubit për mënyrën sesi u luajt.

Një “përmbytje në mbrojtje dhe në sulm” ishte titulli i të përditshmes “AS”. “Kadizi fiton ndaj një Madridi shumë të keq”, titullon “Marka”, e cila ka edhe një opinion ku thuhet se “fajtorët janë të shumtë, dhe Zidani është njëri prej tyre”. Tani është nisur të dyshohet edhe tek një legjendë si Zizuja. Realit nuk i mungoi thuajse asnjë lojtar, ndërsa Zidani provoi edhe me ata që kishte në stol duke hedhur në fushë Valverden, Joviçin e Asension, ndërsa alarm ishte dëmtimi i Sergio Ramosit.

Antoni Lozano shënoi në minutën e 16-të për Kadizin, pra nuk mund të thuhet se goli u pësua vonë, ishte gjithë koha e nevojshme për të reaguar. Nëse madrilenët po mendonin për “Himalajet” (komenton “AS”), pra për Championsin dhe “El Klasikon” me Barcelonën, harruan një pengesë të vogël si Kadizi, që doli fatale. Reali ka 10 pikë në 5 ndeshje, dhe problemi më i madh është që shënon pak, jo se pëson aq shumë.

Reali: Kurtua, Naço, Varan, Ramos (Militao), Marselo, Isko (Valverde), Modriç, Kros (Joviç), Lukas Vaskez (Asensio), Benzema, Visinius. T,. Zidan.

Sfidanti.al