Shënon 91 gola Siti i miliardave, shënon 93 “hirushja” Atalanta!

Është një ekip që po e habit gjithë Europën, dhe ata që nuk duan të jenë tifozë me “veshokët e kalit” në sy, dëshirojnë që kjo mrekulli të vazhdojë sa më gjatë. Atalanta e Bergamos, pas fitores 6-2 ndaj Breshës, arriti në shifrën 93 të golave në këtë sezon të Serisë A. E gjitha kjo në 33 ndeshje, me mesataren gati 3 për çdo duel. Mario Pashaliç shënoi tri herë, Marten De Ron, Ruslan Malinovskij dhe Duvan Zapata realizuan nga një herë, duke i dhënë një përshëndetje edhe shokut të tyre, Luis Muriel që pati një dëmtim në kokë pas një dëmtimi.

Po sikur Atalanta ta fitojë titullin? Duket e vështirë pasi duhen edhe 5-6 ndeshje, dhe diferenca me Juventusin kryesues është 6 pikë, ndërsa bergamaskët kanë luajtur një sfidë më shumë. Interi e Lacio mund t’ia marrin sërish vendin e dytë, por ç’punë prish kjo? Lavdia është e gjitha për “hirushen” e trajnerit Gasperini që nuk di të ndalet, dhe që ka “kërcyer” shumë më lart sesa do ta lejonte buxheti i saj, dhe rrogat që u jep lojtarëve. Në Europë, Atalanta ia ka kaluar edhe Mançester Sitit “miliarder” që ka realizuar 91 gola në 35 ndeshje, ndërsa Bajerni është ende i paprekshëm me 100 rrjeta në 34 ndeshjet e Bundesligës.

Sfidanti.al