Real, edhe 110 milionë euro nuk mjaftojnë për Mbapenë!

Kilian Mbape është personazhi i momentit i futbollit, veçse më shumë i bursës së spekullimeve sesa i fushës së lojës. Jo se talenti 18-vjeçar i Francës nuk shkëlqeu, përkundrazi, ai thuajse ia mori mendjen të gjithëve me atë paraqitje ndaj Mançester Sitit në Champions, veçse klasi i yllit të ri të Monakos po errësohet shpejt nga “klasi” i menaxherëve, agjentëve të bursës së futbollit dhe presidentëve.

Mediat europiane njoftojnë se Monako ka refuzuar 110 milionë euro të ofruara nga një klub i Premier Ligës, ndërsa “Marka” nga Madridi shkruan se tashmë Reali e ka ndarë mendjen për t’u hedhur në sulm për të. “Lumturia e tregut të futbollit”, është shprehja shumë pak sportive e gazetës, që shton se Florentino Perez dëshiron me çdo kusht që francezi të vijë në “Santiago Bernabeu”. “Ai ngjall kujtimet e “Fenomenit” Ronaldo që vallëzonte në të njëjtën moshë tek PSV Ajndhoveni, apo të Tieri Henrisë”, – shkruan “Marka”.

Nuk dihet se cili klub i Premier Ligës ka bërë ofertën e çmendur për një 18-vjeçar, veçse nuk është e vështirë të mendohet për Çelsin, Mançester Junajtidin apo Mançester Sitin. Mbape ka shënuar 19 gola këtë sezon, ndërsa tani mund të luajë për Francën në ndeshjen ndaj Luksemburgut për eleminatoret e Botërorit, dhe më pas në miqësoren ndaj Spanjës.

Sfidanti.al