Mos gaboi Guardiola me Pogbanë? Murinjo: Edhe unë gaboj!

Zhoze Murinjo nuk e humbi sensin e tij të batutës as në nxehtësinë e emocioneve pas derbit të Mançesterit. i kënaqur, por edhe tepër i stresuar, që skuadra e tij përmbysi humbjen 0-2 për të fituar 3-2, trajneri i Junajtidit, pati një pyetje për çështjen “Pogba”. “Mos vallë bëri gabim Guardiola që foli ashtu për Pogbanë përpara ndeshjes?” ishte pyetja.

“Edhe unë bëj gabime, nuk ka ndonjë gjë”, ishte përgjigja shumë kuptimplotë e portugezit. Guardiola deklaroi para derbit se i ishte ofruar Pol Pogba nga ana e agjentit të tij, Raiola, dhe kjo ndoshta mund të ketë ndikuar në paraqitjen e shkëlqyer që bëri mesfushori francez. “Nuk e di nëse ai luajti ashtu sepse u prek nga ato fjalë, – vazhdoi Murinjo, – mund të them vetëm se që të dy ne, ishim të përqëndruar tek ndeshja. Poli luan ashtu vetëm kur është plotësisht i përqëndruar”.

Guardiola ndërkaq nuk i lëvizi fjalëve të veta. “Unë u besoj bashkëpunëtorëve të mi”, – tha ai, duke nënkuptuar se oferta për Pogbanë është bërë. Siti është 13 pikë përpara Junajtidit dhe është thuajse kampion, pavarësisht humbjes së derbit. Murinjo e vlerëson skuadrën e Pepit. “Siti është kampion dhe e meriton të jetë, – tha ai, – duhet ta përgëzojmë, ndërsa ne duhet të mbajmë vendin e dytë, edhe pse gjithnjë duhet të luftojmë për tituj”.

Sfidanti.al