Milani është “pa dhëmbë” nëse s’ka Ibrën, ngec me Udinezen!

Pak a shumë po i ndodh si Vllaznisë në Superligën shqiptare, ndonëse krahasimi nuk është plotësisht i goditur. Gjithsesi, Milani po vuan në gjysmën e dytë të sezonit në Serinë A, duke humbur pikë e duke mbetur pas Interit, madje duke rrezikuar që të arrihet nga Juventusi e nga Atalanta, sa për të përmendur dy rivalë. Barazimi në “San Siro” ndaj Udinezes ishte një hap i madh i gabuar, që mund të ketë pasoja për “llogaritë e fundit”.

Pa Zllatan Ibrahimoviçin e dëmtuar, skuadra e Stefano Piolit u duk si “pa dhëmbë” dhe gjatë gjithë pjesës së parë gjuajti vetëm 3 herë në portë, pati vetë një rast, ndonëse mbajti topin 66 për qind. Edhe pas pushimit nuk ishte shumë më mirë, me të dyja skuadrat që patën nga tre mundësi, dhe me Udinezen që kërkoi penallti (Milani e kërkoi një 11 metërsh në pjesën e parë, por më kot). Ishin miqtë që shënuan të parët në 68’ me anë të Bekaos, pas gabimit të Donarumës. Në fund fare në minutën e 5-të shtesë, Larsen shkakton 11-metërsh pasi e prek topin me dorë në zonë dhe Kesie pati gjakftohtësinë për ta kthyer në gol. Me këtë barazim, Milani ka 53 pikë, 3 më pak se Interi që luan mbrëmjen e së enjtes në fushën e Parmës, ndërsa Atalanta ka 49 pikë në po kaq ndeshje (25), dhe Juventusi 49 në 24 ndeshje.

Sfidanti.al