Është 38 numri magjik në La Liga, Barça dhe rekordi I Sociedadit

Ishte 11 maji I vitit 1980 kur në ligën spanjolle të futbollit u vendos një rekord që mbetet në fuqi edhe sot. Kanë kaluar 38 vjet, por askush nuk ia ka dalë të krahasohet me Real Sociedadin, me serinë prej 38 ndeshjesh pa humbje të kësaj skuadre, veçse sonte një tjetër formacion futbolli mund ta barazojë. Barcelona do të mbushë 38 ndeshje pa humbje në La Liga nëse barazon ose fiton ndaj Leganjesit në “Kamp Nou”, diçka që duket krejtësisht e mundshme.

Kush ishin heronjtë baskë të 38 viteve më parë, të tillë që Spanja nuk ka parë më si ata? Formacioni ishte I famshëm, edhe pse ekskluzivisht bask: Arkonada, Selajeda, Kortabarria, Alonso, Gorriz, Olaizola, Idigoras, Diego, Satrustegi, Zamora, Lopez Ufarte. U deshën dy golat e kampionit të botës, argjentinasit Daniel Bertoni, që Sevilja të fitonte 2-1 ndaj Sociediadit në 11 maj 1980 dhe rekordi bask të mbetej në 38 takime.

Yjeve të një kohe tjetër nuk u vjen keq që rekordi I tyre mund të barazohet apo të thyhet. Ja si shprehen katër lojtarët ofensivë të Sociedadit 1980. “Ka më shumë lavdi kur rekordin ta thyen ekipi që ka në përbërje lojtarin më të mirë të botës”, – shprehet Zamora. “Fakti që ka mbetur në fuqi edhe pas kaq kohësh do të thotë se kemi arritur diçka të madhe”, – thotë Idigoras.

“Ai Real Sociedad dhe ai rekord do të mbeten të papërsëritshëm, – vëren Satrustegi, – pasi ne ishim të gjithë djem të qytetit, të shtëpisë sonë, dhe paraja atëherë nuk ishte kaq e rëndësishme”. Lopez Ufarte kujton se “sa më shumë kalonin ndeshjet pa humbje, aq më shumë ndiheshim të pathyeshëm”. “Barça mund të na e thyejë rekordin, por jo me një formacion të formuar në klub dhe me nivel ekonomik aq modest”, – thekson Lopez Ufarte, I cili vlerëson shumë rolin e Lionel Mesit. “Nëse ndonjë ekip duhet ta thyejë rekordin tonë, duhet të jetë Barça me Mesin”, – përfundon ai.

Sfidanti.al