Duka qahet deri në Uefa për politikën, por Partia merr rrogë në FSHF

I ftuar në emisionin “Fair Play” , kandidati për kreun e FSHF, Bashkim Fino, flet për akuzat e tij ndaj federatës, si dhe për strategjinë dhe platformën e tij për presidencën e FSHF.

Duka tha se do t’i bëjë publike listat e votuesve. Do të thotë se ka qenë urdhër i tij që kjo listë të mos publikohet. Unë nuk kam nga ta di se cili do të jetë delegat. Është problem i tij që nuk e bën publike këtë listë, pasi ka frikë në këto zgjedhje. FSHF është në ilegalitet të plotë duke bërë diçka të tillë.”

Duka bëri autogolin e parë, pasi në 15 janar, kanë shkuar për të regjistruar shoqatat që i gjetëm të paligjshme, edhe me urdhër të Partisë Demokratike. Kanë shkuar në gjykatë për t’i regjistruar. Autogoli i parë është i tyre, pasi e kuptuan që ishin gabim. Regjistrimi i këtyre shoqatave në këtë kohë, tregon që ky anëtar e ka nisur nga fillimi. Unë kam informacion që 2 nga 12 shoqata janë regjistruar. Ato duhet të miratohen nga Komiteti Ekzekutiv.

Shumë nga këta drejtues shoqatash janë punësuar në federatë. Ata delegojnë dikë tjetër për të votuar. Duka ka shtuar shoqata, që të shtojë votat dhe të mbretërojë gjithë jetën.

Në Asamble kanë anëtare me të drejtë vote, që nuk kanë futboll. Aty ka anëtarë që nuk ka ekipe. Kush e pastron atë listë? Do të ketë një ndryshim të madh kur unë të jem fitues në 7 shkurt. Lista me anëtarët e Asamblesë drejtohet nga vetëm një njeri. Kur të zgjidhem unë, lista e anëtarëve të FSHF do jetë e afishuar në internet..

Duka ka adoptuar në statutin tonë: Federata është asnjanëse në çështjet politike dhe fetare. Kjo nënkupton se ai që zgjidhet në krye të FSHF-së ose si anëtar i KE-së duhet të jetë asnjanës në çështjet politike dhe fetare. Pra deri tani unë jam kandidat dhe nuk ka asnjë të drejtë të më paragjykojë askush. Nga momenti që unë do të jem në krye të FSHF-së, do të jem totalisht i përqendruar te futbolli dhe pozicioni që do të mbaj. Nëpër botë ka shumë raste kur presidentët e Federatave të Futbollit kanë qenë politikanë, ose ndërkohë që janë në krye të Federatës mbajnë pozicionin e tyre si në politikë. Pyetja është: A është përdorur FSHF-ja për politikë? Kjo pyetje duhet t’i bëhet Armand Dukës, jo mua. Unë ende nuk jam bërë president i FSHF-së. Në fakt, Duka ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Agrare, që drejtohet nga vëllai i tij. Kreu i FSHF-së ka qenë së bashku me kupolën drejtuese të FSHF-së në këtë konventë. Gjithashtu, Duka ka qenë edhe në Ersekë, kur kishte zgjedhje të parakohshme dhe bënte takime për kandidatin e vendosur nga partia e vëllait të tij. Pra ka shfrytëzuar postin e Federatës dhe nuk ka zbatuar statutin. Ka shkelur ligjin. Këto gjëra ne ia kemi dërguar edhe UEFA-s. Financieri i Partisë Agrare, punon dhe merr rrogën në FSHF, pasi është edhe drejtues i projektit Groë që ka të bëjë me futbollin e fëmijëve.