Champions, Reali ndalet në Poloni me Ronaldon “fantazmë”

Një fatkeqësi e vërtetë që tifozët nuk ishin aty për ta parë. Legia e Varshavës kundër Realit të Madridit ishte shumë më tepër se një përballje e futbollit të sotëm të Championsit. Polakët ringjallën kujtimet e kohëve të arta të Tomashevskit, Latos apo Bonjekut, ku klubet lindore ishin thuajse tmerri i Perëndimit. Pa tifozë në stadiumin kombëtar të Varshavës, Legia barazoi 3-3 me madrilenët, në përmbysje nga më të rrallat. Dy me zero kryesoi Reali me golat e Bejlit dhe Benzemasë, 3-2 e ktheu ekipi vendas kur realizuan Oxhixha-Ofoje (40’), Radoviç (58’) dhe Mulin (83’). Mateo Kovaçiç shpëtoi kampionët e Europës pesë minuta para fundit, ndërsa Ronaldo përsëri i kishte harruar golat diku jashtë stadiumit.

Nuk kualifikohet ende Reali, por kalon Dortmundi në grupin F. Gjermanët fituan 1-0 në fushën e tyre ndaj Sportingut të Lisbonës, me rrjetën e Adrian Ramosit në 12’.

Pranë raundit të dytë edhe Sevilja, e dënuar nga Juventusi. Spanjollët kaluan 4-0 Dinamon e Zagrebit, që mbeti me 10 lojtarë në fund të pjesës së parë kur ishte nën një gol. Vieto, Eskudero, N’Zonzi dhe Ben Jeder realizuan për kampionët e Ligës së Europës. Juventus nuk e shfrytëzoi dot epërsinë e fushës ndaj Lionit. U ndal nga francezët pavarësisht penalltisë së kthyer në gol nga Gonzalo Higuain. Toliso barazoi 5 minuta para fundit. Ky rezultat mban 3 skuadra me shpresë për dy vende.

Vetëm një gol në grupin G, ku FC Kopenhageni barazoi në Danimarkë, 0-0, me Leiçesterin, ndërsa Porto kaloi 1-0 Klub Bryzhin me rrjetën e Andre Silvës në pjesën e parë. Leiçesterit i duhet edhe një pikë për kualifikimin.

Në grupin E, Monako është e para pas suksesit 3-0 ndaj CSKA-së së Moskës, ndërsa Leverkuseni kaloi i dyti pasi fitoi në “Uembli” ndaj Totenhemit me golin e Kamplit.

B. Kuka