Ansi Agolli më pranë kualifikimit në Ligën e Europës me Karabakun

Fitore në Europë dhe kualifikimi është më pranë. Ansi Agolli, kapiteni I kombëtares shqiptare, pati një tjetër mbrëmje pozitive në karrierë, duke dalë triumfues me Karabakun në fushën e tij ndaj PAOK-ut të Selanikut. Skuadra azere, me shqiptarin titullar dhe në fushë deri në fund, ia doli me shifrat 2-0, pasi Dani Kintana dhe Rahit Amirgulijev ishin autorët e golave. Karabaku ka 4 pikë, po aq sa PAOK-u, ndërsa në vendin e parë në grup është Fiorentina që fitoi 3-1 në fushën e Liberecit në Çeki.
Për fat të keq, Agolli ishte I vetmi shqiptar në fushë në ndeshjet e orës 19:00. Armando Sadiku pritej që të mos ishte as në stol për Zyrihun, por për të luajtur nuk ia doli as lojtari tjetër I kombëtares, Burim Kukeli. Edhe shqiptari I Kosovës nuk e kaloi dot në kohë dëmtimin, por shpresohet që të dy të jenë gati për përballjen me Izraelin në eleminatoret e Botërorit në 12 nëntor. Zyrihu mori një barazim të rëndësishëm, 1-1, në Bukuresht ndaj Steauas vendase, pasi Kone barazpeshoi golin e Goluboviçit për vendasit. Po në grupin L, Osmanlispori barazoi në Turqi 2-2 me spanjollët e Vijarrealit.
Në ndeshjet e tjera të luajtura në 19:00 mund të veçohet suksesi I Interit ndaj Sauthemptonit, dhe kjo sepse trajneri Frank De Bur rrezikonte shkarkimin. Antonio Kandreva shënoi më në fund në 67’, dhe italianët u mbajtën përballë anglezëve, edhe pse Marcelo Brozoviç doli me të kuqe në të 77-ën minutë. Suksesi I jep shanse kualifikimi Interit që ka 3 pikë, ndaj 6 të Spartës së Pragës dhe 4 të Hapoel Ber Shevasë e Sauthemptonit.
Në pozita të mira për të kaluar turin është edhe Shalke e Gjermanisë, që fitoi 1-0 në fushën e Krasnodarit, rivalit të mëparshëm të Partizanit tonë dhe ka 9 pikë në 3 ndeshje. Ukrainasi Konoplianka shënoi në Rusi, ndërsa Krasnodari mbeti I dyti, e Nisa e treta me suksesin në Austri ndaj Salcburgut. Po 9 pikë ka edhe Shahtjori I Donjeckut pas fitores 5-0 kundër Gentit, duke lënë pas pikërisht belgët dhe më pas Bragën e Konjasporin që barazuan 1-1 në Turqi.
Dy barazime të njëjta në grupin G. Përfunduan 2-2 sfidat Selta Vigo-Ajaks dhe Standard Liezh-Panathinaikos, me skuadrat mike që kryesuan deri pranë fundit. Ajaksi dhe Selta kryesojnë grupin me diferencë.
B. Kuka