Robert Levandovski ka diçka për të lajmëruar me festimin e golit!

Lumturia e tij ishte e madhe që goli që shënoi i dha një fitore prestigjioze Bajernit, por Robert Levandovski pati një arsye më shumë për të festuar në atë mënyrë. Sulmuesi i shkëlqyer polak vrapoi drejt tifozëve pasi realizoi goditjen e dënimit, duke marrë topin me të cilin shënoi, dhe duke e futur poshtë fanelës. Barku i fryrë i festimit ishte i tij, por barku realisht i fryrë ishte i gruas së tij, Anës, që pret një fëmijë.
Nuk mund të thuhet se Levandovski bëri diçka krejtësisht origjinale, por kujt i bëhet vonë. Ai njihet si golshënues i madh, jo si shpikës i mënyrës së festimeve, ndërsa e arriti qëllimin. Ana, një instruktore fitnesi dhe specialiste diete ushqimore, po pret fëmijën e parë të çiftit, bebe që do të lindë në maj. Të paktën, foshnja do të dalë në dritë në kohë të mirë, jo në dimrin e ashpër bavarez.