Trajnerët: koka që “priten” për të rilindur përsëri!

Gijotina e kampionatit punon si orë zvicerane: kanë kaluar vetëm 7 javë dhe janë larguar 4 trajnerë: Troisi i Laçit, Bexhi i Teutës, Sormani i Partizanit dhe Magani i Flamurtarit. Në këtë listë të zezë, që zbulon padurimin e presidentëve të futbollit, duhet shtuar edhe drejtori i Kukësit, Dervishi, njeriu që krijonte “derbi” me Starovën në distancë. Edhe tifozët e shkarkimeve, jo vetëm trajnerët e papunë, janë befasuar nga largimi i Maganit. Një trajner luftarak, që nuk dorëzohet lehtë, një teknik që është nderuar në ekipe të ndryshme për shpirtin motivues, ka lënë Vlorën. Ka një sekret që nuk thuhet ? Sidoqoftë , është ndryshe të punosh me proletarët e Teutës, ndryshe të punosh në Vlorë, ku vitet e fundit është folur me gjuhën e parasë dhe jo me të lojës.

Pas humbjes me përmasa me Partizanin, përflitet se ky është çmimi i rrogave të padhëna për muaj të tërë. Nëse do të bënim një klasifikim, për mungesën e rrogave në ekipet e Superiores, përflitej se vlonjatët do të ishin në krye. Një bast, që nuk mund të vihet me siguri, se në llojin tonë, heshtja paguhet shtrenjtë. Edhe ekipet e mëdha, që flasin për premio dhe për miliona që ndjekin ecurinë e tyre, zbulojnë me zë të ulët se ekonomikisht nuk janë aq të lumtur, por shpresa mban gjallë lojën e tyre.