Triumfi i Shkëlzen Gashit, merr dy trofetë te Kolorado!

Ishte dita e Shkëlzen Gashit. Sulmuesi “i harruar” i kombëtares shqiptare, nuk është lënë aspak në harresë nga tifozët e tij tek Kolorado. Ai ka marrë në duar dy trofetë individualë, atë të Këpucës së Artë të skuadrës në këtë kampionat në sezonin e rregullt, dhe atë të Lojtarit më të mirë sipas tifozëve. Ceremonia u zhvillua në klubin ku luan Gashi, dhe sulmuesi nga Kosova ua ka paraqitur me krenari trofetë tifozëve, duke bërë postimin në rrjetet sociale. “Jam krenar që jam Këpuca e Artë dhe lojtari më i mirë sipas tifozëve në vitin tim të parë tek Kolorado, – shkruajti Gashi, – ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen”. Futbollisti 30-vjeçar është në garë edhe për golin më të bukur të sezonit, një goditje dënimi e përsosur e tij, dhe pritet të konkurrojë me të tillë të mëdhenj si Stiven Xherrard apo Didie Drogba.

B. K