Zgjohen dibranët, kuptojnë që nuk janë pjesë e sistemit

Duket se dibranët janë lodhur shumë me debutimin në Kategorinë Superiore, ndoshta edhe nga fakti se nuk e njihnin nga brenda mënyrën e funksionimit të gjërave kur ngjitesh aq lart. Kur ishin një shkallë më poshtë, në kategorinë e tyre natyrale, për një arsye apo për një tjetër, u trajtuan si një skuadër preferenciale nga drejtuesit e futbolli, ndërsa tani e kanë humbur këtë status dhe sigurisht po vuajnë. Sot, drejtuesit e Korabit kanë vendosur të depozitojnë në FSHF të gjithë materialin që disponojnë, ku sipas tyre janë të dokumentuara të gjitha padrejtësitë arbitrale që i janë bërë gjatë këtij sezoni, duke përfshirë ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, ku iu anulua të paktën një gol i rregullt. Ndërkohë që tashmë dibranët janë bindur, se skuadrat që ngjiten në Superiore, në të shumtën e rasteve janë të destinuara të zbresin sërish… dhe kjo ju duket padrejtësi.

Në fakt kështu ndodh gjithmonë, që me të vegjëlit, pra me ata që kanë zë të ulët, që kanë mundësi të kufizuara financiare, me ata, që edhe sikur të duan nuk bëhen dot pjesë e sistemit, sillen gjithmonë me përçmin. Pra edhe arbitrat e kanë të lehtë të shkelmojnë gjithmonë bazën e piramidës, Luftëtarin, Korabin, apo më poshtë Dinamon, Besën, apo Apoloninë. Pra përfundimi dihet, nëse luan vetëm për hir të një pasioni, nuk ke akses në ndjenjat e komandantëve të futbollit të vendit.