“Të kthejmë Skënderbeun e Madh”, kjo është motoja e presidentit Takaj!

Nuk është më një kohë kaq e artë, por pretendimet mbeten. Skënderbeu e humbi më në fund titullin pas 6 vitesh radhazi, veçse klubi korçar është i vendosur të rikthehet. Në pritje të vendimit të Komisionit të Etikës, presidenti Takaj ka lëvizur shpejt për të pasur një ekip sa më të fortë për Ligën e Europës dhe për Superligën e ardhshme. Ai ka rinovuar kontratën me disa nga futbollistët.

Mbrojtësi Kristi Vangjeli ka hedhur firmën në një marrëveshje të re, ndërsa po këtë gjë kanë bërë edhe katër të tjerë. Bëhet fjalë për portierin e kombëtares, Orges Shehi, pavarësisht moshës mbi 40-vjeçare. Po ashtu, me pjesën tjetër të repartit të mbrojtjes. Kroati Marko Radash, dhe qendërmbrojtësit e tjerë Tefik Osmani dhe Bajram Jashanica kanë rënë dakord që të vazhdojnë të luajnë për Skënderbeun.

Më herët, klubi afroi sulmuesin Goran Vujoviç, një malazez 30-vjeçar që ka luajtur në Hungari, Rusi dhe së fundi me Buduçnostin e Podgoricës. Një përforcim me shumë vlera është ai i Donjet Shkodrës, mesfushor nga Kosova që ka përvojë në Superligë. Ai shkëlqeu vjet me Flamurtarin duke shënuar edhe disa gola shumë të bukur nga distanca. Skënderbeu, ndërkaq, vazhdon përgatitjet në Slloveni ku ka luajtur dy ndeshje miqësore, dhe ku do të luajë edhe një tjetër, atë ndaj skuadrës sllovene, Domzhale.

Sfidanti.al