Me zemër apo pa zemër … në dorë, si është ylli i Laçit, Nuabueze?!

Nuk ishte i panjohur kur mbërriti në Shqipëri. Kirian Nuabueze kishte shënuar gola dhe kishte marrë famë në Amerikë, Armeni, Slloveni, Maqedoni apo Kosovë derisa klubi i Superligës, Laçi, vendosi ta merrte. Presidenti Pashk Laska u bind nga paraqitjet dhe nga vlerësimet teknike, duke bërë edhe një sakrificë financiare, për t’i dhënë një rrogë nga më të lartat në Shqipëri, që jozyrtarisht thuhet se është 4 apo 5 000 euro në muaj.

Pas 11 javësh kampionat, 26-vjeçari me origjinë nga Nigeria e ka justifikuar plotësisht veten, duke qenë shënuesi numër 1 i Superligës, me 11 rrjeta deri tani. Tregolëshi në portën e Skënderbeut, brenda në Korçë këtë fundjavë, ishte thjesht spektakli i radhës.

Laçi nuk është se nuk pati ngurrime për të marrë Nuabuezen. Sulmuesi u detyrua të largohej nga Gorica e Ligës së Parë të Sllovenisë, pasi u diagnostikua me një problem në zemër, diçka që mund t’i rrezikonte jo vetëm karrierën, por sidomos jetën. Një vit më parë, në Slloveni askush nuk e donte Nuabuezen, siç pohuan edhe mediat vendase, veçse më pas ai u aktivizua në Maqedoni me skuadrën e Pobedës së Prilepit.

Pas dyshimeve që u ngritën me të drejtë edhe në Shqipëri, klubi kurbinas reagoi me sqarimin e tij. “E kemi ditur problemin e lojtarit, – shkruajti klubi në adresën e tij në Instagram, – dhe jemi interesuar shumë kohë para nënshkrimit me të. Ai ka bërë ndërhyrje nga kardiokirurgu më i mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tani mund të luajë futboll në nivelet më të larta. Testet, ai i ka kaluar që në Ligën e Europës”.

Trajneri Cungu e vlerëson Nuabuezen si sulmuesin më të mirë me të cilin ka punuar, duke e lavdëruar edhe teknikisht, por edhe në aspektin njerëzor. Laçi pra ka zbuluar një tjetër yll të Superligës, siç bëri më parë Luftëtari me Rezhinaldon, apo Bylisi me Olajinkën.

Sfidanti.al