“Kokoshi katandiset një thelë”, Tirana ndoshta veç 1 ndeshje dënim për dhunën!

Ndëshkimi ishte i pritshëm, por në të vërtetë nuk ishte edhe aq i rëndë. Katër ndeshje pa spektatorë për Tiranën, është vendimi i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, veçse gjithçka mund të përfundojë vetëm me një. Pavarësisht akuzave të shumta që rëndonin mbi klubin bardheblu, për dështim në organizim, sjellje të gabuar të tifozëve me dhunë e provokime politike e shoqërore, Disiplina u mbështet edhe në nenin 32, pika 3, duke ia përgjysmuar menjëherë dënimin nga 4 në 2 ndeshje pa tifozë.

Mënyra sesi është formuluar vendimi, duke iu referuar vetëm pikës 3, me shumë gjasë bën që ky përgjysmim dënimi të bëhet jo me kusht, pra duke mos u rikthyer dënimi i plotë në rast se dhuna përsëritet. Ndëshkimi për dhunën mund të përfundojë në një ndeshje të vetme, sepse Tirana mund ta shlyejë gjysmën e tij me gjobë. Vendimi hyn në fuqi menjëherë, pra një takim shlyhet me duelin e së mërkurës në Kupë ndaj Shënkollit.

Klubi kryeqytetas do të duhet të paguajë edhe gjobën prej 500 000 lekësh të vendosura nga Disiplina. Vendimi është specifik sepse përcakton grupime dhe individë të caktuar që dënohen, po ashtu sektorë të caktuar të stadiumit. Kështu, grupimi i quajtur “Kapital Kru” nuk do të lejohet të jetë në “Selman Stërmasi” për gjithë sezonin në vazhdim.

Tetë tifozë bardheblu ndalohen përgjithnjë që të hyjnë në stadium, me të tillë si Elton Bande, Alban Rexha apo Getard Çeliku. Nuk është e qartë sesi do të bëhet ndalimi i tifozëve, përderisa në hyrjen në stadium nuk kërkohet zakonisht dokument identifikimi. Gjithsesi, Federata Shqiptare e Futbollit njofton se numri i tifozëve të ndaluar përgjithnjë mund të rritet në bazë të informacioneve të Policisë së Shtetit.

Partizani po ashtu është dënuar nga Disiplina, dhe ndëshkimi i të kuqve është me 2 ndeshje pa spektatorë, duele që do të jenë vetëm në Superligë, pasi skuadra e Lerdës luajti ndërkaq në Kupë ndaj Vorës. Partizani do të duhet të paguajë edhe 100 000 lekë gjobë.

Sfidanti.al