Ironike: Ka listë të zezë për Kombëtaren, por jo për dhunën e kampionatit

Për ata që pyesin me shqetësim se si ka mundësi që nuk bëhen lista për tifozët e rrezikshëm në stadium, fjalët e shefit të garave Lysien Nurishmi janë në vend të harakirit: “  Ne nuk mbajmë listë të zezë për tifozët e dhunshëm në ndeshjet e kampionatit, por vetëm për ndeshjet e Kombëtares”. Një deklaratë që dëshmon paaftësinë shembullore të zyrtarëve tanë, që “tortën e dhunës” e kanë ndarë në dy pjesë, dhuna e kampionatit dhe dhuna kur luan Kombëtarja.

Nuk ka listë të zezë për dhunën në kampionat, sepse FSHF mban vetëm lista të bardha, për të frymëzuar përrallën se “ ky kampionat është edhe më i bukur se ai tjetri që iku”. Nuk ka listë të zezë për tifozët edhe për një arsye të thjeshtë: Federata dënon masivisht dhe nuk lodhet t’i ndajë me kokrra tifozët. Në sirtaret e tyre, per Kombetaren, gjendet një listë e artë..ajo e tifozëve që morën medalje për sjelljen dhe ..bukurinë në Francë.