Egbo nuk i harron fitoret, sukseset e Tiranës i hedh në … rrjetet sociale!

Edhe ai është i mbyllur si të tjerët, dhe po jeton me kujtime. Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, padyshim që komunikon me lojtarët e tij tashmë në distancë, por gjen edhe kohë për të krijuar një video-kolazh me ndeshjet e tij në stolin bardheblu. Padyshim, ka se çfarë të tregojë. Që pas emërimit si drejtues i përkohshëm në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, nigeriani ka arritur 11 fitore e 1 barazim në Superligë, me Tiranën që nga mesi i renditjes u ngjit në krye të tabelës.

Me 53 pikë në 26 javë, ndaj 44 të Kukësit të vendit të dytë, bardheblutë janë pranë titullit, ndonëse kampionati u ndërpre për shkak të koronavirusit. Në sukseset e Egbosë spikasin dy fitoret në derbin ndaj Partizanit, 2-1 e 5-1, po ashtu dy ndaj Laçit, apo triumfi 2-1 ndaj Kukësit. Në fund të vitit të kaluar, ish-portieri u caktua përfundimisht trajner zyrtar i Tiranës. Egboja ka shpresë që Superliga do të rifillojë, siç janë edhe planet e UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa ekziston edhe varianti që tiranasit ta marrin titullin edhe nëse sezoni nuk mbyllet, pak a shumë siç ndodhi në Belgjikë me Bryzhin.

Sfidanti.al