Bylis-Tirana pritet të mos sjellë dënime, hetimi i Etikës, ose “u mbars mali, e polli një mi”

Në kohën që ndodhi buja ishte e madhe. Bylis-Tirana u cilësua nga mediat, një pjesë e madhe e publikut, si dhe nga vetë presidenti kryeqytetas Halili, si një ndeshje me dyshime të mëdha për trukim rezultati. Rezultati i sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës doli 2-1 për vendasit, mënyra e shënimit të golave ishte për të menduar të keqen, dhe hetimet nisën, ndonëse duket se ato nuk do të japin atë rezultat që pret opinioni.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë se edhe ky rast pritet të përfundojë si ata përpara tij, pra pa të ndëshkuar. Çështjen e ka marrë në dorë Komisioni i Etikës, pas këmbënguljes së UEFA-s, por pas disa mbledhjeve nuk është dhënë asnjë vendim. Në të kaluarën, Etika ka dhënë shumë pak dënime, mes të cilëve atë të Skënderbeut në 2016, por që u përpilua në mënyrë të tillë që u hodh poshtë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

Përsa i përket Bylis-Tirana, vetë presidenti i Federatës, Duka, bëri deklaratë të fortë pak ditë më parë, ndërsa vizitonte punimet në stadiumin e Kukësit. Gjithsesi, sipas burimeve të mësipërme, e vetmja gjë që do të bëhet për ndeshjen e Kupës do të jetë procesi hetimor, ndërsa shpresa për të marrë ndonjë vendim tjetër mbetet vetëm tek prokuria, e cila po ashtu besohet se ka hapur një hetim.

Sfidanti.al