Agustin Kola në krah të Egbosë: Ata që e kritikojnë tregojnë nivelin që kanë!

Karrierën e tij të madhe e ka mbyllur 23 vjet më parë. Agustin Kola, një nga ikonat më të mëdha të Tiranës, gjithsesi mbetet në botën e futbollit duke drejtuar ekipe të moshave, si dhe të femrave, veçse nuk e heq vëmendjen nga skuadra e tij e zemrës. Ish-sulmuesi i shquar bardheblu i del në krah trajnerit tiranas, Emanuel Egbo, i cili po vihet në dyshim, pavarësisht fitoreve

“Unë nuk e kuptoj se për çfarë flasin, – u shpreh Agustini, sipas stilit të tij të drejtpërdrejtë, – ti e di se unë ua them në sy, nuk e kam problem të bëj debat. Starova thotë se Egboja është trajner portierësh, por gabon. Tregon nivelin që ka, sepse nuk mud ta paragjykosh. Egboja po fiton, ka rezultate, e njeh ambientin ka 20 vjet tek Tirana. Starova dhe të tjerët ishin që të gjithë tek Tirana, çfarë bënë?”

Trajneri 61-vjeçar, që drejtoi Tiranën për shumë javë kur u shpall për herë të fundit kampion në 2009, nuk ka dyshime për këtë sezon. “Me 99 për qind them se fiton titullin, – shprehet ai, – të mos them 100 për qind, por gjithnjë një për qind mbahet rezervë. Po ecin mirë, por duhet të jenë me këmbë në tokë, ndeshje pa ndeshjeje”. Kola ka një arsyetim origjinal kur flet për krizën e Partizanit. “Klubi ka probleme të brendshme, presidenti Demi ka probleme, por nuk ëshë faji i tij, duket se kohët e fundit nuk po investon”, – është gjykimi i Agustin Kolës.

Sfidanti.al