Kur Flamurtari do të bëhej si Barcelona, plus 5  rroga paradhënie…

Nga të gjitha anët pikon çatia e Flamurtarit. Çfarë euforie kur erdhën drejtuesit e rinj, ata që do të krijonin një Barça shqiptare, me një stadium si ai i Juventusit dhe që do të jepnin edhe 5 rroga paradhënie. Një përrallë për të rritur, në një qytet të lodhur nga premtimet, ku akrepat e orës së futbollit kanë mbetur shumë vite më parë.Atëherë, kur ishin të varfër me para dhe të pasur me talente dhe me rezultate. Ka 100 arsye të çirret me zë të lartë, edhe pse nuk mundet, ish-sulmuesi Sokol Kushta, kur shikon se në Vlorë nuk po luhet me topin, por me emrin e madh të ekipit.

Trajneri Magani iku, futbollistët kanë mbetur peng dhe thuajse janë të ikur. Ditët e fundit, kalvarit të halleve i shtohet edhe presioni nga FSHF për Vucajn: “ Jepini 30 mijë euro futbollistit, se ndryshe do të penalizoheni me gjobë”.  Administratorit Sinani,  ai që në fillim u duk si një luftëtar që do ndreqte jo vetem klubin e tij, por edhe FSHF-në nga prapësitë e saj, do t’i bënim vetëm një lutje: “ Ta lërë Flamurtarin në hallet ku e gjeti , sepse Barçën nuk e arritëm dot”!