Fatim, futbollistja e Kombëtares së Gambias mbytet në Mesdhe

Fatim Javara, portjerja e Kombëtares së femrave të Gambias ka humbur jetën në përpjekje për të kaluar detin Mesdhe, me shpresën për një jetë më të mirë në Europë. Lajmin e ka bërë të ditur ish-trajneri i saj, Korro Mbenga. Sipas dëshmive, Fatim është larguar nga Gambia në shtator, duke kaluar Saharanë dhe ka mbërritur në Libi, ku ka hipur në një barkë.

Siç ka ndodhur shpesh kohët e fundit (flitet për rreth 3.300 emigrantë të mbytur vetëm në vitin 2016), varka ku ndodhej 19-vjeçarja është përmbysur dhe futbollistja nuk ia ka dalë të shpëtojë, ashtu si shumë të tjerë. “Do ta kujtojmë për ndeshjet e saj të mëdhaja”, tha presidenti i Federatës së Gambias, Lamin Kaba Bajo. “Kjo është një humbje e madhe për kombin dhe Kombëtaren”. Gambia ka vetëm 2 milionë banorë dhe pjesa më e madhe e tyre jetojnë me 1,23 dollarë në ditë, ndoshta më pak.