Çapekoenses i jepet Kupa Sudamerikane, shpërblim për tragjedinë!

Kupa Sudamerikane e këtij viti iu dha Çapekoenses. Skuadra braziliane, që humbi 19 lojtarë në aksidentin ajror pak ditë më parë, u shpërblye në këtë mënyrë nga Konfederata e Futbollit e Amerikës së Jugut (CONMEBOL). Kjo e fundit bëri realitet propozimin e rivales së brazilianëve në finale, skuadrës kolumbiane Atletiko Nasional të Medelinit. Kjo do të thotë se Çapekoense do të luajë sezonin e ardhshëm në Kupën Libertadores, dhe do të ndeshet me Atletiko Nasionalin në finalen e Superkupës së Amerikës së Jugut.

Konfederata amerikanojugore shpërbleu edhe skuadrën kolumbiane për propozimin e saj, duke i dhënë Çmimin CONMEBOL, një lloj kupe e lojës së ndershme, duke komentuar se “nuk mund të kishte shembull më të madh të shpirtit të paqes, mirëkuptimit dhe lojës së ndershme, sesa solidariteti i shprehur nga Atletiko Nasional e Kolumbisë”.